Moto 3, Izan Guevara shpallet kampion pas triumfit në Australi

Sport

Izan Guevara është kampioni i ri në ‘Moto 3’. Piloti spanjoll i skuadrës ‘Aspar’ ia doli të plotësonte objektivin e vendosur përpara fundjavës së Australisë, duke e mbyllur përpara rivalëve si Dennis Foggia, Sergio Garcia apo Ayumu Sasaki. 18-vjeçari nga Mallorca bëri një garë të shkëlqyer në pistën e Philip Island, duke e mbyllur si fitues dhe duke u shpallur plot stil si kampion bote në këtë kategori. Kjo ishte gara e gjashtë që Guevara fitonte përgjatë këtij sezoni, ndërkohë që në Australi, podiumi u plotësua nga turku Deniz Oncu dhe piloti tjetër i ‘Aspar’, me motorin Gas Gas, Sergio Garcia. Vetëm vendi i katërt për japonezin Ayumu Sasaki, ndërsa zhgënjeu Dennis Foggia, që nuk shkoi më larg se sa vendi i 9, që nuk ishte i mjaftueshëm për të shtyrë festën e Guevara-s. Në xhirot e fundit pati emocione të shumta, pasi vendi i parë ndryshoi pronësi disa herë. Garcia dhe Sasaki u përpoqën të ndalnin ritmin e Guevara-s, ndërkohë që Oncu përfitoi nga duelet e pilotëve përpara tij për t’u ngjitur në podium. Në fund, Guevara shtoi edhe më shumë ritmin duke e mbrojtur me kujdes vendin e parë, pavarësisht presionit të lartë nga 3 pilotët që e ndiqnin. 18-vjeçari ia del të shpallet në këtë mënyrë kampion bote në ‘Moto 3’, ndonëse nuk mendohej si favorit në fillimin e sezonit. Kur kanë mbetur edhe 2 gara nga fundi i botërorit, Guevara do të përpiqet të të ndihmojë skuadrën ‘Aspar’ të fitojë edhe titullin për skuadrat, ndërsa marka Gas Gas duket favorite për ta mbyllur renditjen përpara Hondas.