Jadon Sancho është padiskutim një nga talentet më premtues të momentit në Evropë, teksa në 15 ndeshje me Dortmund mes Bundesligës dhe Champions League, ka realizuar 5 gola, ndërsa ka qenë protagonist me 7 asiste. Performancat e tij të mira nuk kanë kaluar pa u vënë re dhe pjesë e skuadrave të interesuara për të tani është edhe Juventus. Drejtuesit e kampionëve të Italisë duken të bindur se Sanchon e pret një e ardhme premtuese, ndaj janë gati të bëjnë lëvizjen e tyre për ta bërë pjesë të projektit bardhezi. Megjithatë, shifrat që duhen shpenzuar për kartonin e talentit anglez kanë prapësuar disi edhe gjigandët italianë.
Dortmund e bleu Jadon Sanchon në verën e 2017-ës, për një shumë të përafërt me 8 milionë euro, që i shkuan Manchester Cityt. Ndërsa tani, për të hyrë në bisedime për shërbimet e 18-vjeçarit, tek Dormtund presin një ofertë fillestare mbi 80 milionë euro. Madje duke parë interesimin e shumë skuadrave evropiane, siç raportohet në Gjermani, nuk do të ishte e papritur nëse vlera e lojtarit do të shkonte drejt shifrave rekord. Një tratativë e tillë do t’i kushtonte Juventusit shumë shumë se sa operacioni Ronaldo, dhe për momentin drejtuesit bardhezi do të ndjekin vazhdimësinë e përformancave të Sancho, teksa Ronaldo vazhdon të shkëlqejë edhe në Itali.