Morientes lavdëron Real Madridin, por thotë se Benzema është njeriu kyç për Zidane

Sport

Karim Benzema ishte protagonist në triumfin me ‘aromë’ titulli ndaj Granadas, të cilën Real Madrid e fitoi 2-1 në transfertë. Francezi realizoi golin e dytë të takimit, që është edhe i 18 në këtë sezon për të në ‘La Liga’. Sulmuesi në fakt është golashënuesi i dytë më i mirë në kampionatin spanjoll. Më mirë se ai bën vetëm Lionel Messi, që në aspektin personal ka patur një sezon të jashtëzakonshëm. Sa i përket Benzemas, 32-vjeçari ka qenë një element i pazëvendësueshëm për trajnerin Zidane dhe për këtë e ka një shpjegim të thjeshtë ish-sulmuesi i Real Madrid, Fernando Morientes. Në një intervistë të dhënë së fundmi, Morientes lavdëroi punën e bërë nga skuadra e ‘los blancos’ gjatë 2019/2020-ës, duke u shprehur se nëse arrihet tek titulli, atëherë ky do të jetë një vlerësim mëse i merituar për të besuarit e Zidane. Por roli i Benzema në këtë skuadër sipas tij është edhe më i madh se sa e mendojnë njerëzit. Morientes e vuri theksin tek fakti se ndryshe nga sezonet e kaluara, ky Real Madrid nuk ka patur sulmin si pikën e saj më të fortë, por gjithësesi, Benzema ia ka dalë mbanë të mbajë mbi supe një repart të tërë thuajse i vetëm. Dëmtimet e Hazard apo edhe lënia në stol e Bale kanë bërë që për Benzema të ketë më shumë detyra, pasi të rinjtë Vinicius e Rodrygo nuk e kanë eksperiencën e duhur për të zgjidhur gjithnjë ndeshjet, sidomos në sfida delikate si këto të fundit të sezonit. Benzema gjatë këtij sezoni numëron plot 45 ndeshje në të gjitha kompeticioniet me fanellën e Real Madrid, me 24 gola dhe 11 asiste.