Roberto Mancini është zyrtarizuar si trajneri i ri i përfaqësueses së Arabisë Saudite, përkundër asaj që vetë tekniku ishte shprehur pas dorëheqjes nga Italia. 58-vjeçari shprehej gjatë atyre ditëve se largimi i tij nga përfaqësuesja e vendit të tij nuk lidhej me një propozim nga Lindja e Mesme, por koha tregoi se në fakt, Mancini është tunduar nga milionat saudite për t’u bërë pjesë e trendit të kësaj vere, ku emra të mëdhenj të futbollit kanë braktisur Europën për Arabinë. Mancini u kritikua nga shumë tifozë dhe personalitete të sportit për mënyrën se si e menaxhoi situatën, por së fundmi, në mbrojtje të tij ka dalë ish-presidenti i Inter-it, Massimo Moratti. Sipas këtij të fundit, kushdo të ishte në vendin e Mancini-t, do të kishte bërë të njëjtën gjë. Ish-numri 1 zikaltër thotë se profesionistët e vërtetë janë gjithnjë të ftohtë në gjykimin e tyre dhe Mancini ishte i vetdijshëm se kishte përpara një mundësi që ndoshta të vjen një herë në jetë. Për më tepër, atij i është garantuar një projekt serioz dhe mundësi veprimi në krye të përfaqësueses së Arabisë Saudite. Për Moratti-n, Mancini ka një talent të jashtëzakonshëm për të qenë një lider e trajner i nivelit më të lartë, prandaj është e kuptueshme se për të patur shërbimet e tij, duhen shpenzuar aq shumë para. Tekniku 58-vjeçar ka firmosur një kontratë për të qenë në krye të stolit të Arabisë Saudite deri në korrikun e 2027-ës, nga ku italiani supozohet të fitojë plot 25 milionë euro në vit. Për Moratti-n, vendimi për t’u larguar nga drejtimi i Italisë mund të ishte sjellë në një mënyrë më të pranueshme, por nga ana tjetër, dukej e vështirë që ai të arrinte diçka më tepër me atë skuadër. Për të, kjo aventurë tek Arabia Saudite është edhe një sfidë mjaft intriguese, pasi vetë Mancini e pranoi se do të provojë të bëjë historinë edhe me përfaqësuesen e Lindjes së Mesme.