Morata kërkohet nga Juventus dhe Inter, Atletico vendos çmimin e sulmuesit

Sport

Atletico Madrid ka vendosur çmimin e Alvaro Moratas. Sulmuesi, ka ende edhe një vit kontratë me klubin spanjoll, mirëpo duket shumë e vështirë që ai të luajë ende në klubin bardhekuq. E ardhmja e sulmuesit të qendrës, përgjatë ditëve të fundit, është lidhur ngushtë me Italinë, aty çka do të ishte një rikthim për të, për të 3-tën herë.

Në të dyja rastet e mëparshme, 30 vjeçari ka mbajtur mbi shpinë fanellën e Juventusit, që sërish është duke ndjekur situatën e lojtarit. Zonja e Vjetër, në kërkim të një sulmuesi, është gati të hidhet në aksion për të siguruar shërbimet e shtatlartit të ofensivës, pasi supozohet se Dusan Vlahoviç do të shitet këtë verë.

Ndërsa klubi tjetër që kërkon të ketë në dispozicion ish-futbollistin e Real Madrid, është Interi. Me Lukakun që është përjashtuar si mundësi, nënkampionët e Europës duan një tjetër përforcim përpara dhe Morata është elementi që përballohet nga zikaltërit edhe në aspektin financiar.

Sidoqoftë, deri më tani, nga klubet italiane, nuk ka asnjë ofertë konkrete në drejtim të Atleticos. Në kushte si këto, klubi spanjoll, e ka bërë vetë hapin e parë dhe ka vendosur kësisoj çmimin e kartonit të personazhit në fjalë. Klubi që dëshiron të blejë Alvaro Moratan, duhet të vendosë 21 mln euro në pjatë, aq sa në fakt është edhe klauzola1 e futbollistit me Rojiblancos.

Vetë dëshira e lojtarit është që të rikthehet në Itali, e për këtë arsye, ai ka kërkuar nga agjentët e tij që kjo çështje të mbyllet me sukses. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë ose jo, gjithçka mbetet për t’u konfirmuar në vijimësi të ditëve të merkatos verore.