Monaco-Juve, lavda pafund për Buffon, që e mbajti portën të pa-prekur

Sport

Buffon

Dy me zero në Monaco. Gola të Higuain, por mbi të gjitha performancë e shkëlqyer në portë për Gianluigi Buffon. Ky ishte epilogu i aktit të parë gjysmë-finalist mes Monacos dhe Juventusit në Champions, që tanimë do të spostohet në Torino. Atje ku falë veteranit të portës bardhezinjtë do t’i gëzohen faktit se nuk kanë pësuar gol. Në Luigji i II-të, Buffon i bllokoi përpjekjet e të dy yjeve të Monacos, si Falcao ashtu edhe Mbappe duke realizuar kështu të 11-ën ndeshje pa pësuar gol në Champions League-ën e këtij sezoni. Në fakt pas ndeshjes së të mërkurës të shumta kanë qenë superlativat në drejtim të tij. Rrjetet sociale madje kanë ngritur një diskutim, ku shtrohet pyetja se përse një portier i të tilla performancave nuk është vlerësuar ende me një top të artë. Dhe pyetja që rrjedh fillë është, nëse Juventus arrin të shpallet kampjon në Evropë, a do ta marrë këtë vlerësim Buffon? “U nisëm mirë, pastaj Buffon kreu disa pritje të shkëlqyera dhe kur kaluam në avantazh gjërat na u bënë disi më të lehta. Ai është numri 1” – u shpreh Massimiliano Allegir pas ndeshjes duke i dhënë meritë të plotë 39-vjecarit, i cili luante ndeshjen e tij të 100 në Champions League. Ndërkohë një duel i vecantë ishte ai mes 18-vjecarit Mbappe dhe Buffon. Talenti francez pati rrëfyer javë më parë se e kishte ëndërr t’i shënonte një portieri si Buffon, gjë të cilën ky i fundit nuk ia lejoi. Pas mbylljes së takimit, Mbappe i kërkoi fanellën dhe italiani ia dha me gjithë kënaqësi. “Ishte një gjest simpatik, më kujtoi veten time. Kur kam qenë i ri ia pata kërkuar fanellën një lojtari dhe ai s’ma dha, gjë për të cilën më pati mbetur shumë qejfi” – kujtoi 39-vjecari.