Momenti i merkatos, Barcelona dhe Manchester City e nisin javën me zyrtarizime lojtarësh

Sport

Barcelona dhe Manchester City e kanë nisur javën me zyrtarizime lojtarësh. Pas një karvani shumë të gjatë, katalanasit I dhanë fund pritjes dhe zyrtarizuan Franck Kessie, ish-lojtarin e Milanit, duke I siguruar shërbimet e tij me parametra zero, duke qenë se i përfundoi kontrata me kuqezinjtë. Me anë të një komunikimi në kanalin zyrtar, klubi ka njoftuar se mesfushori ka firmosur një kontratë deri në vitin 2026, ndërsa klauzola e tij është 500 mln euro. Në Camp Nou, Kessie do përfitojë 6.5 mln euro në sezon.

Më tej, gjigantët spanjollë njoftojnë se prezantimi I futbollistit në fjalë do bëhet ditën e mërkurë, duke filluar që prej orës 11-të të paradites, e duke vijuar më pas me të gjithë axhendën e parashikuar. Kessie konsiderohet si një futbollist mjaft I rëndësishëm për organikën blaugrana, i cili pritet të kontribuojë tej mase si në fazën mbrjotëse, ashtu edhe atë sulmuese.

Ndërkohë, 1384 km larg Barcelonës, në Manchester, City ka zyrtarizuar mesfushorin Kalvin Phillips. Kampionët e Premier League e siguruan kartonin e 26 vjeçarit për shifrën e 50 mln eurove nga Leeds United. Djaloshi anglez ka firmosur një kontratë 6 vjeçare në Etihad Stadium, aty ku do mbajë mbi shpinë fanellën me numrin 4. 50 mln eurot e fituara nga shitja e sulmuesit Gabriel Jesus, City I ka kaluar menjëherë në arkat e Leeds, duke siguruar shërbimet e Kalvin Phillips.