Shqipëria arriti të fitonte me rezultatin 2-0 kundër Moldavisë, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Europianit. Kuqezinjtë arritën të merrnin triumfin e parë nën drejtimin e trajnerit 73-vjecar italian, Edy Reja. Mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit, për të motivuar për të ardhmen stafin dhe futbollistët ka vendosur t’i shpërblejë ata, duke i dhënë një premio prej 60 mijë eurosh. Bëhet fjalë vërtet për një shifër të konsiderueshme, për më tepër duke parasysh faktin se përballë kishin një kundërshtar të cilësuar modest, siç është Moldavia. Gjithsesi mund të thuhet se fitorja ndaj Moldavisë ka kthye edhe një herë entuziazmin rreth përfaqësueses shqiptare, pasi kishte kohë që nuk bindte me lojën e saj. Por gjithsesi, suksesi 2-0 i “Elbasan Arenas” ndaj një kundërshtari modest duket se nuk do të mjaftojë që skuadra kuqezi të ndalojë rënien graduale në renditjen botërore të FIFA-s.
Në klasifikimin e ri që publikohet nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit, Shqipëria, mësohet se do të ketë rënie, duke qenë e 66-ta në botë, nga e 62-ta që ishte rreth një muaj më parë. Nga burime afër organizmit më të lartë të futbollit botëror, Bregu i Fildishtë, Bolivia, Mali dhe Sllovenia janë përfaqësueset që kanë kapërcyer Shqipërinë, duke bërë që kuqezinjtë të rrëshqasin në pozicionin më të keq që prej vitit 2017 kur e panë veten në vendin e 71-të.