Interi tenton Luca Modric. Ky është lajmi që ka gjetur vend në mediat italiane, sipas të cilave klubi zikaltër është duke u përpjekur të rrëmbejë yllin kroat nga Real i Madridit. Mesfushori 32-vjeçar u shpall lojtari më i mirë në Botërorin 2018 për paraqitjet e tij të shkëlqyera me Kroacinë, pa llogaritur që konsiderohet ndër lojtarët më të mirë në botë për atë që ka treguar në radhët e madrilenëve. Sipas Sky Sport Italia e Gazzetta dello Sport, drejtuesit zikaltër kanë pasur kontaktakte me agjentët e Modricit, të cilët thuhet se janë të hapur për transferimin e mundshëm të ish-yllit të Tottenhamit, me Interin. Megjithatë, çfarëdo marrëveshje për Modricin do të jetë e vështirë, kjo për shkak të pagës së tij të lartë, por edhe pasi Reali duket se nuk heq dorë kollaj nga kroati. Sidoqoftë, Interi ka provuar të këmbëngulë. E sipas asaj që raporton “Sky”, Modric është arsyeja pse marrëveshja për Arturo Vidalin nuk është bërë ende zyrtare. Pikërisht duket se Interi dëshiron ta dijë nëse është e mundur të kalohet në negociata konkrete për kroatin.
Ndër raportimet e tjera medtike mbi lëvizje të mundshme në merkato, për t’u regjistruar është një interesim i Real Madridit për brazilianin Willian të Chelsea. Megjithëse anglezët kanë mohuar se kanë marrë ndonjë ofertë për lojtarin e tyre. Mosparaqitja e tij në fillimin e stërvitjeve me blutë ka të bëjë me një problem me vizat dhe së shpejti ai do të bashkohet me Chelsean. Vetë ai në një intervistë për mediat braziliane ka deklaruar se nuk ka nërmend të largohet: “Unë jam i lumtur te Chelsea dhe dua të vazhdoj të jetoj në Londër”. Kështu, spanjollët duken më të prirur për të tentuar drejt Christian Pulisic të Borusias së Dortmundit, për të cilin mund të jenë të gatshëm për të paguar 70 milionë euro. Lucas Digne ka kompletuar transferimin e tij nga Barcelona tek Evertoni, aty ku madje është prezantuar pasi firmosi një kontratrë 5-vjeçare. Francezi 25-vjeçar që ka luajtur edhe me Paris SG dhe Romën, pranoi se vjen më në fund në kampionatin më të mirë në botë.