Modric nuk ia lëshon numrin 10 Hazard

Sport

Eden Hazard ka kryer vizitat mjekësore dhe është prezantuar zyrtarisht si lojtari i ri i Real Madrid. Një prezantim madhështor për belgun, që pa shkallët e stadiumit ‘Santiago Bernabeu’ të mbushura plot, vetëm për të parë çastet e para të Hazard me fanellën e ‘los blancos’. Të përditshmet spanjolle e kanë krahasuar prezantimin e lojtarit belg me atë të Cristiano Ronaldos në vitin 2009, duke treguar qartë se pritshmëritë ndaj Hazard janë shumë të mëdha. Futbollisti realizoi ëndrrën e tij për të qenë pjesë e Real Madrid, ndërsa presidenti i klubit spanjoll, Florentino Perez, ka plotësuar kështu një dëshirë të vjetër të trajnerit Zinedine Zidane, për të patur Hazard në skuadrën e tij.


28-vjeçari u shfaq mjaft i lumtur dhe entuziast në konferencën e tij të parë për shtyp si lojtar i Real Madrid, ndërsa pranoi që njerëzit kanë pritshmëri të mëdha ndaj tij. Kështu, pasi falenderoi Perez dhe Zidane për besimin, Hazard u premtoi tifozëve të ‘los blancos’ se do të japë maksimumin për të nderuar fanellën madrilene. I pyetur rreth numrit që do të mbajë tek kryeqytetasit spanjollë, Hazard zbuloi se me ndihmën e Kovacic tek Chelsea, kishte folur me Modric rreth numrit 10, por kroati ka refuzuar të heqë dorë. Megjithatë, Hazard u shpreh se për të nuk ka rëndësi se çfarë numri do të mbajë mbi shpinë, por fanella dhe emblema që ai të do të përfaqësojë.