Edhe pse i përfshirë shpesh në spekulimet që e shohin të transferuar në Itali, Luka Modric do të vijojë të jetë pjesë e Real Madrid. Të paktën kjo është dëshira e vetë ‘Topit të Artë’, i cili kërkon të vazhdojë aventurën e tek ‘los blancos’. Kroati është përfolur shumë me një kalim në Milano, ku pas Interit, ishte edhe Milani që u shfaq e interesuar për shërbimet e 34-vjeçarit. Mirëpo drejtori i kuqezinjve, Maldini, apo edhe Boban konfirmuan se mundësitë që të afrohet kroati janë thuajse zero.
Për t’i dhënë fund këtyre spekulimeve, e përditëshmja spanjolle ‘Marca’ konfirmon se dëshira e lojtarit është të vazhdojë të jetë pjesë e Real Madrid. Modric ka edhe dy vite kontratë me ‘los blancos’, nga e cila përfifton plot 10 milionë euro në sezon, shifër që vështirë se do t’i ofrohej në Itali. Pavarësisht se lojtari e ka shprehur gjithmonë simpatinë që ka për klubin e Milanit, mosha bën që Modric të mendojë me kujdes lëvizjet për të ardhmen e tij dhe sigurisht që të ardhurat janë një detaj i rëndësishëm për të.
Trajneri Zinedine Zidane kërkon të rifreskojë skuadrën dhe Modric ka qenë ndër emrat që listoheshin drejt largimit, megjithatë tek Reali nuk janë fort të bindur për diçka të tillë, pasi prezenca e lojtarëve me eksperiencë si Modric apo Toni Kroos mund të ndihmojë jo pak në zhvillimin e të rinjve. Së fundmi, pati raportime se kartoni i kroatit do të përfshihej në përpjekjet e Real Madrid për të transferuar nga PSG, brazilianin Neymar. Megjithatë, asnjë nga palët nuk ka konfirmuar bisedime të tilla dhe Modric me shumë gjasa mund të vijojë të jetë pjesë e Real Madrid, edhe për sezonin e ardhshëm…