Modric mendonte kalimin tek Milan këtë verë, por largimi i Boban ndryshoi çdo gjë

Sport

Luka Modric ka menduar largimin nga Real Madrid. Mesfushori kroat dëshiron të provojë edhe një aventurë tjetër përpara se tërhiqet nga futbolli dhe sipas asaj që raportojnë mediat italiane, ai kishte gjetur edhe skuadrën ku do të transferohej gjatë kësaj vere. 34-vjeçari kishte zgjedhur për një kalim tek Milani, ku kishte patur edhe bisedime mes përfaqësuesve të tij dhe tashmë ish-drejtorit të kuqezinjve, Zvonimir Boban. Gjithnjë sipas raportimeve të mediave italiane, palët kishin një akord verbal dhe gjatë kësaj vere do të punohej për ta bërë realitet këtë lëvizje. Por gjithçka ka rënë poshtë, me largimin e Boban nga drejtimi i Milanit. Legjenda e kuqezinjve bëri disa deklarata rreth çështjes së trajnerit tek klubi italian, ku akuzoi në një farë mënyre Gazidis se kishte punuar prapa krahëve të tij dhe të Maldinit. Këto deklarata nuk u pritën mirë nga drejtuesit e lartë të Milanit, që vendosën ta shkarkonin Boban nga detyra, çfarë nuk u prit shumë mirë nga pjesa më e madhe e tifozëve kuqezi. Por me shkarkimin e tij, Milan i ka dhënë fund ndoshta edhe një mundësie për të afruar në skuadër një mesfushor me shumë eksperiencë si Luka Modric, që pavarësisht moshës, do të ishte një vlerë e madhe për mesfushën e kuqezinjve. Sa i përket Modric, kroati po e rimendon të ardhmen e tij, ku nuk përjashtohet mundësia për të qëndruar tek Real Madrid, gjithnjë nëse mbetet një element kryesor në skuadrën e Zidane, pasi 34-vjeçari kërkon që të jetë protagonist në fushën e lojës.