Modric: Kupa e Botës, një përrallë fëmijësh për Kroacinë…

Sport

luka

Konsiderohet si një nga favoritet e mëdha për të qenë së paku mes 4 skuadrave më të mira të Botërorit, ashtu si në vitin 1998. Por ka edhe nga ata që e shohin Kroacinë si favoriten-surprizë për të fituar Kupën e Botës. Mbi të gjitha, sepse në gjirin e vet ka një Luka Modric, i cili pasi ka qenë vendimtar për Realin në Champions, mund të bëjë të njëjtën gjë edhe me përfaqësuesen ballkanase, ku nuk i mungojnë lojtarët e tjerë cilësorë. Vetë kapiteni i kroatëve e konsideron një mision gati të pamundur kurorëzimin me suksesin final. Edhe pse ëndërron…”Të fitojmë Botërorin është thuajse e pamendueshme. Duket si një përrallë për fëmijë. E megjithatë do të ishte e pabesueshme ta ngrija atë kupë si kapiten…”, ka thënë 33-vjeçari, autor i 2 golave në “Rusi 2018” dhe i konsideruar si një nga numrat 10 më të mirë të kësaj Kupe Bote. 

modrick

Për më tepër, arritjen në cerekfinale, Modric e konsideron një rezultat të madh: “Sidomos për mua në planin personal do të thotë shumë. Pasi unë luaj me Kombëtaren që nga 2008-a dhe kam pësuar shumë humbje fatkeqe. Mbi të gjitha me Turqinë dhe Portugalinë. Prandaj këtë herë meritonim pak më tepër fat”. Në fakt fati u buzeqeshi krotatëve sidomos në të tetat e finaleve kundër Danimarkës. Kur ishte pikërisht Modric që humbi një penallti në kohën shtesë. Gjithsesi nuk u tremb për t’u paraqitur sërish që të godiste nga pika e bardhë e 11-metrave, në përfundim të 120 minutave. Dhe këtë radhë u tregua i saktë, duke larguar fantazmat e përsëritjes së dy eleminimeve të dhimshme të Botërorëve të kaluar. Me siguri që tani nuk ka dëshirë të ndalet. Megjithëse në radhë të parë duhet kaluar një kundërshtar jo i lehtë si Rusia. Sa i takon asaj ndeshjeje, mesfushori që është lider te Kroacia ka bërë thirrje për të pasur kujdes, sepse rusët kanë lojtarë që vrapojnë shumë dhe është e mirëorganizuar. Prandaj, sipas tij, përballja me Rusinë do të jetë një spektakël më vete.