Lionel Messi po shijon një rini të dytë me transferimin në Amerikë. Sulmuesi ka arritur të jetë sërish protagonist për skuadrën e tij Inter Miami, duke shënuar një tjetër dopietë. Ekipi i trajnerit Martino mposhti 3-1 Orlando City, duke siguruar kualifikimin për në raundin tjetër të ‘Leagues Cup’. Vendasit do të kalonin në avantazh që në minutën e 7, kur finlandezi Robert Taylor do të shërbente më një asist të stilit Iniesta, pikërisht Messi-n. Argjentinasi do të merrte kontrollin e topit dhe do të trondiste rrjetën, në atë që ishte goli i tij i 4 me fanellën e Inter Miami-t. Skuadra e Orlando-s gjithësesi nuk do të hiqte dorë, duke ia dalë mbanë të gjejë barazimin vetëm 10 minuta më vonë, kur Araujo shfrytëzoi kaosin e krijuar brenda zonës, pas një goditjeje nga këndi. Në fillimin e pjesës së dytë, Josef Martinez do të fitotne një 11-metërsh, që do ta shndërronte po vetë në gol. Ndërsa në minutën e 72-të, ai do të kthehej në asistues për Messi-n, që në 3 ndeshje të luajtura përtej Atlantikut, ka realizuar dy dopieta. 5 gola e 1 asist në tre ndeshje për argjentinasin tek Inter Miami, çfarë duket se kanë nisur rrugën për ta shndërruar ‘pleshtin’ në golashënuesin më të mirë të historisë së kësaj skuadre të re. Si për ironi të fatit, më i miri tek Inter Miami kur vjen puna tek golat, rezulton të jetë emri i Gonzalo Higuain. Dikur shokë skuadre tek përfaqësuesja e Argjentinës, Messi tani duhet të kalojë kuotën e 29 golave, për të shënuar një tjetër arritje në aspektin personal. Skuadra e Inter Miami-t do të luajë tashmë në fazën e 1/8-ave të këtij kompeticioni, ku i pret një përballje me teksanët e FC Dallas-it.