Miqësoret e Shqipërisë në ajër…prej Coronavirusit

Sport

Dekreti i qeverisë italiane sa i takon masës për të luajtur me dyer të mbyllura çdo event sportiv deri më 3 prill, për shkak të rrezikut të shpërndarjes së koronavirusit, ka vendosur në dyshim edhe miqësoret e Kombëtares shqiptare që janë programuar në fund të marsit. Kuqezinjtë do të luajnë sipas programit me San Marinon më datë 27 mars dhe më 30 mars ndaj Sllovenisë. Mirëpo gjithcka është vendosur në diskutim sa i takon vendit se ku do të zhvillohen këto sfida, pasi duket e pamundur që të zhvillohen në Itali me stadiume të zbrazëta.
Nga burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është mësuar se gjatë hedhjes së shortit të Nations League në Amsterdam, drejtuesit e Federatave të përfshira kanë diskutuar mbi mundësinë e spostimit të këtyre dueleve në vend tjetër, qoftë në Shqipëri apo Slloveni. Mirëpo duket se diçka e tillë nuk është plotësisht në dorën e tyre, përderisa miqësore janë rregulluar me ndërmjetësimin e një kompanie që është deleguar nga UEFA për t’u marrë me miqësoret. Pikërisht është kjo kompani, që organizon gjithçka duke mbuluar një pjesë të shpenzimeve. Ndërsa më pas administron të ardhura nga biletat apo marketingu gjatë ndeshjeve. FSHF ka kërkuar informacion, prandaj pritet që shumë shpejt të vendoset përfundimisht se çfarë do të bëhet me ndeshjet e planifikuara të luhen në territorin e Italisë. Por me shumë mundësi, duke parë situatën emergjente sa i takon Coronavorusit, duket se do të ketë një zhvendosje të miqësoreve pasi askujt nuk do t’u leverdiste të luheshin me dyer të mbyllura.