Vasil Kiryienka ka mbrojtur me sukses titullin kampion të “Lojërave Evropiane” në garën e kronometruar në çiklizëm. Bjellorusi nuk konsiderohej si favorit kryesor në fillim të garës, por Kiryienka ia doli të përshkruante 28.6 km në një kohë 33 minuta, 3.34 sekonda, teksa shpejtësia mesatare e tij gjatë kronometrimit rezultoi të ishte 51.9 km/h. Çiklisti veteran i siguroi në këtë mënyrë Bjellorusisë një tjetër medalje ari, duke e çuar numrin në total në 14. Ndërsa së bashku me medaljet e argjendit dhe të bronzit, Bjellorusia numëron 41 medalje pas 5 ditëve të para të ‘Minsk 2019’. Vendi i dytë dhe medalja e argjendit shkoi për portugezin Nelson Oliveira, që e ndali kohën e tij me 30 sekonda më shumë se Kiriyenka i vendit të parë. Ndërsa podiumi u plotësua nga çiklisti çek, Jan Barta, i cili mposhti për medaljen e bronzit me vetëm 1 sekondë irlandezin Ryan Mullen.
Tek femrat vendin e parë dhe medaljen e arit në garën e kronometuar e mori çiklistja zviceriane, Marlen Reusser, që u ndal në kohën 36 minuta e 17.41 sekonda. Me 1 minutë e 15 sekonda më shumë, vendin e dytë e zuri holandezja Chantal Blaak, ndërsa podiumi u plotësua nga çiklistja britanuike Hayley Simmonds. Kjo e fundit garoi për medaljen e bronzit me bashkëkombasen e saj, Alice Barnes, teksa fillimisht u duk se vendi i tretë do të shkonte për Alena Amialiusik. Dështimi për të marrë medalje në shtëpinë e saj bëri që bjellorusja Amialiusik të mos përmbante emocionet e të përlotej në fund të garës.