Minsk 2019, Rusia dominon sërish, Bjellorusia krenon tifozët vendas

Sport

Ashtu siç edhe pritej, Rusia po dominon garën e medaljeve në ‘Lojërat Evropiane’, ‘Minsk 2019’. Përfaqësuesit rusë kanë grumbulluar brenda 4 ditëve të para të kompeticionit plot 48 medalje, 22 prej të cilave prej ari. 12 të tjera janë medaljet e argjendit dhe 14 janë prej bronzi. Në këtë mënyrë delegacioni rus konfirmohet si ‘superfuqi’ e këtyre lojërave, teksa duket e vështirë që rusët të parakalohen sa i përket garës për medalje. Të vetmit që i qëndrojnë pranë në këtë aspekt janë bjellorusët. Vendasit po respektojnë pritshmëritë e tifozëve të tyre dhe deri më tani kanë grumbulluar 38 medalje, 11 prej të cilave janë prej ari.

Përfaqësuesit e vendit organizator duket se janë përgatitur si duhet për t’i kompletuar figurën e mirë që po bën Bjellorusia me mbarëvajtjen e këtyre lojërave. Vendin e tretë për medalje e mban Gjeorgjia me 20 medalje, e cila ndiqet nga afër nga Ukraina me 18 medalje pas 4 ditëve të para të ‘Minsk 2019’. Kosova ndërkohë ka arritur të grumbullojë 3 medalje, të treja në sportin e xhudos, me Majlinda Kelmendin që tregoi edhe njëherë dominimin e saj duke fituar medaljen e arit. Ndërsa Shqipëria për momentin ende nuk ka arritur të sigurojë asnjë medalje, por paraqitjet e mira në raundet kualifikuese të boksit të përfaqësuesve tanë, lënë të hapur mundësinë për t’u ngjitur në podin e fituesve.