Boksi duket se po mban lart nderin shqiptar në Lojërat Evropiane që zhvillohen në Minsk të Bjellorusisë. Flamurmbajtësi kuqezi Krenar Zeneli fitoi 5-0 ndaj zviceranit Tiago Pugno në fazën e 1/8-ave të pesës deri 56 kilogram, duke avancuar për fazën çerekfinale. Aty ku tashmë do të përballet të mërkurën, ora 13:30 me britanikun Peter MekGreil. Në këtë pikë mund të thuhet se Zeneli ka ambicje të mëdha për të hyrë në zonën e medaljeve. Duke mbetur te boksi, Alban Beqiri ka humbur ngushtësisht 3-2 përballjen me moldavin Vasil Belous, në peshën deri 69kg. Megjithëse, sipas informacioneve që vijnë nga KOKSH-it, ka qenë një duel i shoqëruar me shumë kontestime për gjyqtarët, pasi gjykimi ishte shumë subjektiv, duke u kundërshtuar edhe nga publiku.
Ndërkohë, në qitje, në garën e 10 metrave pistoletë ajri, të dy qitësit kuqezinj nuk arritën dot të kualifikoheshin për në finale. Kështu, Henri Rrufa për meshkuj u rendit i fundit, duke grumbulluar 542 pikë në fazën eliminatore.
Gjithashtu në të njëjtën disiplinë garoi për femra edhe Manuela Delilaj, rezultati i së cilës ishte më i mirë. Konkretisht u rendit në vendin e 28-të mes 37 konkurrenteve, duke grumbulluar 558 pikë. Por kaq nuk mjaftoi për finalen. Gjithsesi, Deliaj do të garojë edhe në disiplinën e pistoletës 25 metra zjarr.
As gara e çiklizmit në rrugë nuk dha asnjë rezultat pozitiv për kuqezinjtë. Ylber Sefa u klasifikua në vendin e 67-të (mes 141 garuesve), duke mbërritur në finish +1’10” nga fituesi i garës, italiani Davide Ballerini (4h10’04”). Kurse Jaku nuk e përfundoi dot garën dhe u tërhoq. Sa i takon harkut, Jurgen Hoxha është mundur në 1/32-at e finaleve nga britaniku Halle. Të mërkurën do të garojë ndërkaq mundësi kuqezi, Eriglend Prizreni.