Një skuadër që synon ta mbyllë si forca e parë e ‘Konferencës së Lindjes’, në këtë sezon duhet të fitojë bindshëm ndeshjet ndaj kundërshtarëve të fortë. Këtë janë përpjekur të tregojnë tek Milwaukee Bucks, që mposhtën 125-112 ekipin e Denver Nuggets. Bucks u mbështetën tek dyshja Giannis Antetokounmpo dhe Khris Middleton, të cilët ishin vendimtarë për suksesin e skuadrës së tyre. Gjigandi grek e mbylli me 30 pikë dhe 9 ribaunde, ndërsa Middleton ishte pranë realizimit të një ‘triple-double’-i me 29 pikë, 12 asiste dhe 8 ribaunde. Edhe njëherë tjetër, përpjekja e Nikola Jokic nuk mjaftoi për Denver. Serbi ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 35 pikë, por ishte i rëndësishëm për Nuggets edhe me 6 asiste e 12 ribaunde. Njësoj si në sfidën ndaj Sacramentos, paraqitja e mirë e Jokic nuk gjeti mbështetjen e duhur nga pjesa tjetër e skuadrës, çfarë bëri që Denver të marrë atë që është humbja e 11 për këtë sezon.
Ka rezultuar një ndeshje mjaft e luftuar ajo mes Los Angeles Lakers dhe Oklahoma City Thunder, ku ishte e nevojshme të luhej në kohën shtesë për të përcaktuar fituesin. Kampionët në fuqi shfrytëzuan në maksimum paraqitjen fantastike të LeBron James, i cili kompletoi një ‘triple-double’ me 25 pikë, 12 asiste dhe 14 ribaunde, për të marrë një triumf plot vlera me rezultatin 119-112. 36-vjeçarit iu desh që të shpenzonte edhe njëherë shumë energji për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij, teksa edhe një ndeshje më parë, ndaj Detroit Pistons, Lakers kishin luajtur 2 kohë shtesë. Sa i përket Oklahomas, shkëlqeu në aspektin personal kanadezi Gilgeous-Alexander, me 29 pikë e 10 asiste.
Kanë siguruar një triumf të rëndësishëm ndërkohë tek Toronto Raptors, që mposhtën 128-113 Memphis Grizzlies. Norman Poëell, Pascal Siakam dhe Fred VanVleet ishin shënuesit më të mirë të takimit dhe së bashku realizuan 93 pikë. Dallas mposhti 127-122 Minnesota Timberëolves, ndërsa Washington Wizards kaluan me vështirësi 105-101 Chicago Bulls të Zach LaVine. Nuk zhgënjen Phoenix, që fitoi 119-113 ndaj Cleveland Cavaliers, ndërsa Golden State Warriors morën humbjen e dytë radhazi, pasi u mposhtën 105-100, kësaj radhe nga teksanët e San Antonio Spurs.