E ardhmja e Sergej Milinkovic-Savic është e gjitha për t’u shkruar. Mesfushori serb, që përgatitet të mbyllë vitin e tetë me Lacion, pret t’i skadojë kontrata në 2024-n. Por kur mungon edhe një vit nga fundi i kontratës, janë të shumtë diskutimet në lidhje me atë që do të ndodhë verën e ardhshme.
Sepse Milinkovic-Savic mund të lërë vërtet klubin bardhekaltër. Një skenar i konfirmuar edhe nga drejtori i Lacios, Igli Tar, i cili të hënën ka folur për Skysport. “Mendoj se për të mirën e të gjithëve, do të ulemi në tavolinë për të sqaruar këtë gjë. Sergej ka një lidhje shumë të fortë me Lacion, teksa ka një vlerësim kundrejt klubit dhe trajnerit. Mund të ndodhë gjithcka. Madje edhe që në fund të sezonit të shitet te klubi që do të kënaqë kërkesat tona”
Pra, në frazën “mund të ndodhë gjithcka, përmblidhet shumë mbi të ardhmen e Milinkovic-Savic, që ka admirues dhe klube të shumtë për të bërë hapa përpara.
E sipas asaj që është publikuar nga Gazzetta Dello Sport, është Milani dhe Stefano Pioli që e kanë pikasur si përforcimin ideal për mesfushën e sezonit të ardhshëm. Në fakt klubi kuqezi e ka vlerësuar prej kohësh mesfushorin serb. E tashmë po vëzhgon situatën në tentativën për transferimin e tij, edhe në bazë të pozicionimit përfundimtar të Milanit në fund të këtij kampionati, gjithmonë në varësi të kualifikimit në edicionin e ardhshëm të Champions League. Kuqezinjtë në rast se do të renditen në katërshen e parë, do të provojnë të hyjnë në negociata me Lotiton, duke parë edhe që kanë rrugën e lirë nga Juventusi, që me qendrimin jashtë Evropës, vështirë se mund të joshin lojtarin.