Milani shijon vendin e parë në kuotën e 60 pikëve…

Sport

Milani ka dalë triumfues në duelin e drejtpërdrejtë për kreun e tabelës së klasifikimit. Në javën e 28-të të Serisë A, kuqezinjtë mundën me rezultatin 1-0 Napolin në stadiumin Diego Armando Maradona.

Pas një pjese të parë me rrjeta të paprekura, të besuarit e trajnerit Stefano Pioli zbritën me të tjera ide në fraksionin e dytë dhe konkretisht në minutën e 49-të, Olivier Giroud iu dha avantazhin të tijve, duke e kaluar topin pas krahëve të portierit Ospina. Që prej transferimit të tij në San Siro, francezi ka ditur të jetë mjaft i dobishëm në ndeshjet e mëdha, pasi përveç Napolit, i ka shënuar edhe Interit në derbi, duke u bërë në këtë mënyrë lojtari i tretë që shënon ndaj të dyja skuadrave të sipërpërmendura këtë sezon futbollistik. Diçka të ngjashme e kanë bërë Gianluca Scamaca dhe Ruslan Malinovski.

Që pas këtij momenti, të dyja skuadrat tentuan për të ndëshkuar njëra-tjetrën, megjithatë rezultati do të mbetej i pandryshuar deri në fërshëllimën përfundimtare të arbitrit Daniele Orsato. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi e Milanit në fushën e Napolit dhe diçka e tillë nuk kishte ndodhur që prej vitit të largët 1981.

Në këtë mënyrë, kuqezinjtë kanë arritur fitoren e 18-të sezonale, çka i bën ata të klasifikohen në vendin e parë në kuotën e 60 pikëve, 3 më shumë sesa Napoli dhe 2 më tepër sesa Interi, por zikaltërit kanë për të zhvilluar edhe një ndeshje të prapambetur.

Teksa deri në fund të këtij sezoni në Serinë A kanë mbetur edhe 11 javë për t’u zhvilluar, gara për titullin kampion, padyshim që është tepër interesante. Mirëpo për momentin, Milani po shijon vendin e parë dhe tanimë i sheh të gjithë nga lart.