Milani rikthehet tek fitorja, Theo Hernandez në historinë e klubit kuqezi

Sport

Milani rikthehet tek fitorja në Serie A. Në javën e 19 të kampionatit, në atë që ishte sfidë e prapambetur për shkak të angazhimit në Superkupë, kuqezinjtë vizituan Comon, që me të gjitha forcat, po lufton për të mbijetuar në elitën e futbollit italian dhe herë pas here është kthyer në një kockë të fortë për çdo kundërshtar.

Për këtë arsye, nuk pritej të ishte e lehtë as për Milanin dhe në fakt ashtu ndodhi. Kuqezinjtë e drejtuar nga Sergio Conceicao, mundën të fitonin me rezultatin e ngushtë 2-1 dhe këtë gjë e bënë duke përmbysur disavantazhin 1-0. Pjesa më e bukur e ndeshjes, u zhvillua që pas minutës së 60, çast kur Diao kaloi në epërsi të zotët e shtëpisë. Mirëpo, Milani diti të reagonte. Në të 71-tën, Theo Hernandez barazoi rezultatin. Ky gol, ishte i një rëndësie të veçantë për lojtarin francez, e ndoshta mund të jetë një gol që do t’i mbetet përherë në memorie. Me 30 gola të shënuar në Serie A, Theo Hernandez është bërë mbrojtësi me më shumë gola të shënuar në historinë e Milanit në Serie A, duke parakaluar kësisoj edhe një legjendë si Paolo Maldini, që ishte ndalur në kuotën e 29 golave. Për t’u rikthyer tek ndeshja, vetëm 5 minuta pas golit të Theos, të dytin e Milanit e shënoi Rafael Leao dhe më pas, rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit. Me një ndeshje në dispozicion, Milani klasifikohet në vendin e shtatë, në kuotën e 31 pikëve, kurse Como mbetet në vendin e 16 me 19 pikë.