Milani rekuperon Tonalin e Calabrian

Sport

Pauza e përfaqësueseve për Milanin erdhi menjëherë pas humbjes me Napolin. Një periudhë shkëputjeje mund edhe ti ketë bërë mirë ekipit kuqezi pas një disfate që theu serinë prej 22 ndeshjesh pa humbje në kampionat, megjithatë më shumë se sa vetë humbja ku kuqezinjtë zhvilluan një futboll të admirueshëm, trajnerin Pioli e ka shqetësuar gjëndja fizike e disa lojtarëve. Theo Hernandez ka një dëmtim muskulor dhe e sigurt që nuk do të luaj ndaj Empolit, por ka mundësi të humbasë edhe dy takimet pasuese kundër Chelsea-t e Juventusit. Maignan u dëmtua me kombëtaren franceze dhe do të mungoj për një muaj, teksa ende nuk është e qartë nëse Rebic e Origi do të rekuperohen për sfidën e së shtunës në mbrëmje në “Castellani”. Kroati po vuan nga një dëmtim në zonën lumbare dhe nuk ka luajtur 5 ndeshje në kampionat e 3 në Champions, ndërkaq që edhe sulmuesi belg nuk zbret në fushë nga data 6 shtator për shkak të një dëmtimi muskulor.

Gjithsesi nuk ka vetëm lajme jo të mira për Piolin pasi tekniku emilian do të ketë në dispozicion për takimin kundër Empolit, Sandro Tonalin dhe Davide Calabrian. Mesfushori e ka hedhur pas krahëve lodhjen muskulore dhe do të jetë në formacion kundër ekipit të Zanettit, teksa edhe kapiteni i cili u zëvendësua pas pjesës së parë ndaj Napolit, pikërisht për një shqetësim muskulor, tashmë i është bashkuar grupit dhe do të jetë gjithashtu në fushë përballë skuadrës toskane.