Milani pranë rinovimit me dy lojtarë

Sport

Milani duket gjithmonë e më pranë rinovimit të kontratës me Olivier Giroud. Ndonëse 36 vjeç, sulmuesi i qendrës është kthyer në një factor thelbësor këtë sezon. Ai ka arritur të shënojë 9 gola për Milanin, 5 prej të cilëve janë në Serie A dhe 4 në Champions League.

Por, jo vetëm kaq. Giroud zhvilloi edhe një Botëror të përkryer, duke shënuar 4 gola në 6 paraqitje në Katar, e duke u kthyer në një nga lojtarët më kryesorë të Francës deri në finale të kompeticionit.

Për të gjitha këto arritje, Milani e shikon të arsyeshme që të rinovojë edhe për një tjetër sezon me sulmuesin veteran. Marrëveshja do jetë deri në verën e 2024-tës, në të cilën pritet të ketë edhe një përmirësim të termave financiarë, duke qenë se performancat e Giroud kanë qenë për t’u duartrokitur.

Përveç Giroud, në kampin kuqezi ka optimizëm edhe për rinovmin e Ismael Bennacer. Algjeriani ka ende edhe 1 vite e gjysmë kontratë, por klubi synon që lojtari të mbetet në “San Siro” për një kohë të gjatë. Ashtu sikurse me Giroud, edhe me Bennacer bordi nuk pritet të ketë probleme, pasi palët i kanë idetë të ngjashme. Për të dy lojtarët e sipërpërmendur, “operacioni” pritet të fillojë në janar të 2023-shit.

Mirëpo disi më e komplikuar ka nisur të bëhet situata për Rafael Leao. Portugezi ka marrëveshje deri në verën e 2024-tës me klubin kuqezi, por kampionët e Italisë e dinë mirë rrezikun që mund të vijë nga konkurenca e klubeve të tjera dhe për këtë arsye duan të rinovojnë me anësorin, në mënyrë që kartoni i tij në merkato të mbetet i lartë.

Për të hedhur të zezën mbi të bardhë, Leao kërkon 7 mln euro në sezon, diçka që do ta dëmtonte shumë klubi nga ana e aspektit financiar. Në kushte të tilla, situata ka nisur të bëhet disi e komplikuar dhe e paqartë.