Francesco Camarda është shumë pranë firmosjes së kontratës së tij të parë profesioniste me Milanin. Sapo ka mbushur 16 vjeç, sulmuesi do të nënshkruajë një marrëveshje 3 vjeçare më 19 herë kampionët e Italisë, duke shuar kështu çdo dyshim të ngritur rreth të ardhmes së tij.
Sikurse shkruajnë mediat italiane, e zeza mbi të bardhë do të zyrtarizohet në Maj, atëherë kur sezoni të ketë mbërritur në fund, me Camardën që më pas do të bëhet zyrtarisht pjesë e ekipit të parë.
Fakti që kontrata nuk është firmosur deri më tani, ka ndodhur për shkak se lojtari nuk kishte mbushur ende 16 vjeç pasi mosha e vogël nuk e lejonte atë që të nënshkruante një kontratë profesioniste.
Me këtë lëvizje, Milani është duke u dhënë një mesazh edhe klubeve të tjera që kishin shfaqur interes për djaloshin Camarda. Një prej tyre ishte edhe Interi, me rivalin zikaltër që shpresonte të arrinte një marrëveshje me lojtarin, duke e veshur atë me ngjyrat e skuadrës tjetër të Milanos.
Gjithësesi, asgjë nga këto nuk do të ndodhë. Camarda do të luajë për Milanin. Me aftësitë e tij, ai ka spikatur në ekipet zinxhir të klubit dhe cilësohet me potencial I madh. Në kampin milanist shpresojnë se përgjatë viteve të ardhshme, Camarda do të kthehet në një lojtar kyç të 7 herë kampionëve të Europës.
Vlen të theksohet se përgjatë këtij sezoni, Francesco Camarda ka luajtur në dy ndeshje të Serie A për Milanin. Në të parën, vetëm 15 vjeç, ai u bë lojtari më I ri që kishte debutuar ndonjëherë në historinë e futbollit elitar italian.