Milani përparon bisedimet për rinovimin e kontratës me një lojtar të skuadrës

Sport

Pasi ka siguruar biletën në gjysmëfinale të Champions League, Milani është gati të bëjë një lëvizje të rëndësishme, por këtë herë jashtë fushës së lojës. Këtu fjala është për Olivier Giroud. Në pak muaj, sulmuesit i skadon kontrata me klubin kuqezi, çka do të thotë se në merkaton e verës, mund të largohet me parametra zero nga “San Siro”.

Megjithatë, klubi kampion i Italisë, nuk preferon që situatë të mbërrijë deri në këtë pikë. Nga ana e sulmuesit, dëshira e tij është të mbetet pjesë e Milanit dhe një gjë të tillë e ka shprehur edhe publikisht. Mirëpo, nga ana tjetër, duket se të njëjtën dëshirë e ka edhe Milani. Sikurse raportojnë mediat italiane, gjigantët e Serie A, në ditët e ardhshme, janë gati t’i ofrojnë sulmuesit një rinovim të kontratës.

Bëhet fjalë për një kontratë një vjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një të dytë. Në marrëveshjen e re, nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madhe në termat financiarë. Giroud do të përfitojë rreth 3.5 mln euro në sezon, pak a shumë aq sa fiton edhe aktualisht.

Giroud, pjesë e Milanit që prej verës së 2021-shit, është kthyer në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës kuqezi përgjatë kësaj kohe. Ndonëse erdhi në moshën 35 vjeçare në “San Siro”, dhe nga opinionistë apo analistë sportivë, nuk u pa si një lëvizje e zgjuar e Milanit, futbollisti në fjalë, u vërtetoi të gjithëve krejtësisht të kundërtën.

Ai ka ditur të kthehet në pikë referimi nën urdhërat e trajnerit Stefano Pioli. Përgjatë kësaj kohe, ish-lojtari i Chelsea është aktivizuar 76 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 27 gola, e po ashtu ka dhënë edhe 10 asiste.