Në minutat e fundit të merkatos ka pasur edhe disa lëvizje në skuadrat e Serisë A, ku për t’u veçuar ishte rikthimi i Adrien Rabiot në Itali, ku do të veshë fanelën e Milanit të Alegrit, si një kërkesë e vetë teknikut kuqezi, që e ka pasur nën drejtim edhe te Juventusi. Mesfushori francez ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2028 me skuadrën e Milanit, ku do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon, por në rast se do të arrihet zona-Champions, atëherë do të ketë bonus duke shjkuar në mbi 4 milionë euro. 30-vjeçari francez ka zgjedhur tashmë edhe numrin e fanelës: bëhet fjalë për 12-tën. Ndërsa bie në sy fakti që pas 100 vjetësh, kuqezinjtë nuk kanë një lojtar që ka zgjedhur numrin 9.
Ndërkaq, edhe Interi ka marrë një lojtar në limitin e merkatos. Bëhet fjalë për Manuel Akanji, i ardhur në huazim nga Mancester Siti. Në intervistën e tij të parë për Inter TV-në, mbrojtësi zviceran tha se zgjedhja për t’iu bashkuar zikaltërve ishte e lehtë. “Interi është klubi më i madh në Itali dhe një nga më të mëdhenjtë në botë. Ishte e lehtë për mua të vendos”, deklaroi Akanji. Ai theksoi se mund të përshtatet në çdo pozicion në mbrojtjen me tre lojtarë, ndërsa foli edhe për ambiciet e tij: “Shpresoj të arrijmë në finale të rëndësishme dhe këtë herë të fitojmë”. Sa i përket Series A, Akanji tha se e ndjek prej kohësh dhe mezi pret të punojë me trajnerin Cristian Chivu. Lidhur me bashkëkombësin Yann Sommer, ai zbuloi se gardiani i Interit i kishte dërguar një mesazh mirëseardhjeje. “Mezi pres të takoj tifozët tanë në San Siro për ndeshjen e parë në shtëpi”, përfundoi mbrojtësi zviceran.