Milani nuk heq dorë nga lojtari i Chelsea, në garë është edhe Ajaksi

Sport

Hakim Ziyech e ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga Chelsea. Ndonëse për momentin, marokeni është i përqendruar në Kupën e Botës me Katarin, ai është pyetur në lidhje me të ardhmen e tij në nivel klubesh.

Hapësira e Ziyech në “Stamford Bridge” kanë qenë me pikatore, si në kohën e Thomas Tuchel, po ashtu edhe në këtë të tanishmen me Graham Potter.

Në kushte si këto, marokeni ka qenë vazhdimisht i komentuar në merkato, ndonëse kontrata e tij me klubin londinez përfundon në verën e 2025-tës.

“Është e vështirë të them që do largohem në janar nga Chelsea. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por në futboll është e vështirë që të dalësh në përfundime të sakta”, janë fjalët e 29 vjeçarit.

Për Ziyech, një interes të vazhdueshëm ka treguar pikërisht Milani. Në verën e këtij viti, kuqezinjtë kërkonin shërbimet e tij, por më pas vendosën të investonin për Charles De Keteleare. Megjithatë, kur kanë kaluar vetëm pak muaj, kampionët e Italisë e kanë rikthyer sërish vëmendjen nga marokeni.

Megjithatë, gjigantët e Serie A, nuk janë të vetmit që janë në ndjekje të situatës së Ziyech. Pjesë e kësaj situate është bërë edhe Ajaksi. Marokeni e bëri kapërcimin në Premier League, duke u larguar pikërisht nga klubi hollandez, por duke qenë se në ishull gjërat nuk po shkojnë aspak mirë, atëherë nuk përjashtohet mundësia që së shpejti, anësori i sulmit të rikthehet edhe një herë tjetër në bazë.

Vetë, pas përfundimit të Kupës së Botës do të kemi një panoramë më të qartë rreth të ardhmes së Hakim Ziyech.