Milani nuk duron më, bën ndryshimin në drejtim

Sport

Edhe pse vinte nga një fitore si ajo e javës së fundit në Xhenoa, Milani mori vendimin për të shkarkuar Marco Giampaolo. Trajneri i ardhur në stolin kuqezi gjatë verës, i thotë lamtumirë pas 111 ditëve aty, çka e bëjnë më jetëshkurtrin e qendruar ndonjëherë në krye të kuqezinjve.
Drejtuesit nuk kanë duruar që pas 7 javësh mblodhi vetëm 9 pikë si frut i 3 fitoreve dhe 4 humbjeve. Por mbi të gjitha, të padurueshme kanë qenë disa zgjedhje të pakuptimta sa i takon aktivizimit të lojtarëve të caktuar, si dhe fakti që nuk ka pasur evoluim në lojën e skuadrës, ndryshe nga sa pritej pas 3 muajve në detyrë për ish-teknikun e Empolit dhe Sampdorias.

Menjëherë është gjetur edhe zëvendësuesi i tij, i cili do të jetë Stefano Pioli. Në të vërtetë, i përzgjedhuri i parë ishte Luciano Spalleti, por problemet e shfaqura për të zgjidhur kontratën që e mban ende të lidhur me Interin, bënë që Maldini dhe Boban t’i drejtoheshin një tjetër alternative. Pioli, pas përvojave me Bolonjën, Lacion, Interin dhe Fiorentinën, tashmë ka firmosur një kontratë 2-vjecare prej 1.5 milionë eurosh në vit. Por duket se ka edhe një klauzolë që e largon, në rast se nuk arrihen Kupat e Evropës në fund të këtij sezoni. Mbështetësit kuqezi kanë shfaqur menjëherë pakënaqësinë e tyre për këtë zgjedhje të bërë nga drejtuesit, përderisa nuk pranojnë faktin që trajneri ka deklaruar 3 vite më parë kur drejtonte Interin (nëntor 2016 deri mars 2017), se është një tifoz zikaltër. Ndërkaq, Pioli ka drejtuar stërvitjen e parë të kuqezinjve gjatë drekës së të mërkurës. Kurse debutimi zyrtar si trajner i Milanit do të vijë të dielën e 20 tetorit, kur në “San Siro” do të vijë Lecce.