Për vite me radhë, Mauro Icardi ishte lojtari kryesor i Interit, duke qenë ai që merrte përsipër shënimin e golave në skuadër. Mirëpo, prishja e marrëdhënieve me ekipin dhe me tifozët, bëri që argjentinasi në ditën e fundit të merkatos së kaluar të huazohej për një sezon tek PSG, ndërsa francezët mund ta blejnë kartonin e tij për një shumë deri në 70 milionë euro që do të shkojë në arkat e Interit. Gjithsesi, diçka e tillë vështirë se mund të ndodhë me kampionët e Francës. Të tjera skuadra kanë shfaqur interes për të, si Premier League, apo edhe në Serie A, me Juventusin dhe Napolin. Mirëpo, së fundmi, sipas raportimeve të mediave përtej Adriatikut, në garë për 27 vjeçarin ka hyrë edhe Milani. Kuqezinjtë, kërkojnë një sulmues me projekt afatgjatë, sepse Ibrahimoviç është 38 vjeç, e nuk dihet nëse do të jetë pjesë e Milanit vitin e tjetër futbollistik. Më tej, trajneri i ardhshëm i kuqezinjve mund të jetë Luçiano Spalletti, i cili është një prej alternativave, e në këto kushte, Icardi do të bindej për t’u transferuar tek 18 herë kampionët e Italisë, që janë edhe rivalët historikë të Interit. Këtë edicion me Parisin, Icardi ka realizuar 20 gola në të gjitha garat, ndërsa pritet me mjaft interes, nëse edicionin e ardhshëm do të vishet me fanellën e Milanit, apo të një tjetër klubi.