Kuqezinjtë e Milanit janë fundosur pas humbjes 1-3 që pësuan ndaj Fiorentinës. Klubi 7 herë kampion i Evropës po kalon në formë të dobët në këtë fillim të edicionit të ri të Serie A. Rossonerët kanë marrë vetëm gjashtë pikë nga gjashtë javët e kaluara. Aq sa tani kuqezinjtë gjenden në pozitën e 16-të të renditjes. Drejtori sportiv i Milanit, Paolo Maldini ka komentuar situatën alarmante, duke dashur t’i dalë në mbrojtje trajnerit Giampaolo. Ai është shprehur se atij i duhet më shumë kohë edhe pse tifozët e kërkojnë shkarkimin e tij.
“Ne e kemi zgjedhur këtë trajner dhe do ta mbrojmë. Mendoj se është e drejtë t’i japim pak kohë. E dinim se do të hasnim vështirësi, megjithëse nuk e prisnim të humbnim katër nga gjashtë ndeshjet e para. Faji për këtë është i klubit, trajnerit dhe futbollistëve. Tifozët bënë mirë që u larguan nga stadiumi. Vitin e kaluar nuk luajtëm lojë të bukur dhe arritëm një pikë larg Ligës së Kampionëve. Prandaj, sezoni nuk ka mbaruar, nuk duhet të mbytemi! Mund ta përmbysim”, deklaroi një nga legjendat e futbollit italian, tashmë në rolin e drejtorit të Milanit.