Krizë e thellë për Milanin në kampionatin italian. Edhe fundjava që lamë pas konfirmoi se kuqezinjtë, jo vetëm që nuk dinë më sesi të fitojnë, por kanë hyrë në një tunel, nga i cili e kanë të vështirë të dalin. Humbja 2-0 ndaj Torino u dha goditjen e rëndë, aq sa tashmë e shohin veten të larguar nga zona e Champions League, duke u gjendur në vend të gjashtë. Rezultatet aspak të mira që zgjasin prej derbit kundër Interit duket se nuk kanë fund. Megjithatë, klubi duket se vijon të konfirmojë besimin për trajnerin Genaro Gatuzo, duke ia faturuar ecurinë e keqe më tepër formës së skuadrës në tërësi.
Në vendin e katërt, tani është ngjitur Roma, pasi e ka marrë veten nën drejtimin e Claudio Ranierit dhe që fitoi përsëri, 3-0 përballë Kaljarit. Kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në fund, skuadra verdhekuqe është në kuotën e 58 pikëve është ndër të favorizuara për të qenë në Champions gjatë vitit të ardhshëm, duke pasur aktualisht avantazh prej 2 pikësh nga Torino e Milani që e ndjekin. Edhe Lacio e Strakoshës është rikthyer te fitorja, këtë radhë duke thyer Sampdorian në trasnfertë. Të besuarit e Inzagit i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë duke shënuar dy gola me Kaisedos, aq sa e bënë të pavlefshëm realizimin e radhës për Kualiarelan, i cili është ngjitur në krye të golshënuesve italianë. Faktikisht, Strakoshës i ka ardhur jo pak në ndihmë shtylla, që është goditur dy herë nga kundërshtarët. Suksesi e ka ngjitur Lacion në vendin e 7, tri pikë më pak se Romat, duke bërë që edhe bardhekaltërit të jenë në garë të plotë për të qenë në katërshen e parë të renditjes. Për t’u veçuar në këtë javë të Serisë A ishte edhe “derbi i Italisë” midis Interit e Juventusit, që u mbyll në paqe. Për zikaltërit, autor i golit të avantazhit ishte Naingolan. Kurse për bardhezinjtë, Cristiano Ronaldo shënoi golin e barazimit, duke bërë që të arrijë kuotën 600, sa i takon realizimeve në total nëpër kampionatet ku ka luajtur në Portugali, Angli, Spanjë dhe Itali.