Milani në kolaps, 3 humbje radhazi për skuadrën kuqezi

Sport

Milani ne kolaps. Skuadra kuqezi është duke e përkeqësuar situatën në kampionat, aqsa tani numëron 3 humbje radhazi. Në javën e 27 të Serie A, ekipi i radhës që fitoi ndaj ekipit të Sergio Conceicaos, ishte Lazio. Ndeshja e luajtur në San Siro, u mbyll me rezultatin 2-1 për kryeqytetasit, të cilët, ishin edhe të parët që kaluan në avantazh me anë të Zacagnit në minutën e 28. Në pjesën e dytë, Milani mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Pavloviç në minutën e 67. Gjithsesi, kuqezinjtë arritën të reagonin, teksa në minutën e 84, Çukueze barazoi rezultatin, falë një krosimi të ardhur nga Rafael Leao.Pas një momenti të tillë, ndeshja nisi të bëhej mjaft interesante, sepse të dyja skuadrat po tentonin për të shënuar golin e fitores. E në fakt, do të ishte Lazio që do ta bënte një gjë të tillë. Në të 8-tën e shtesës, Pedro shdërroi në gol një penallti të fituar nga shokët e skuadrës së tij. Goli i Pedros, i realizuar në minutën e 97 e 9 sekonda, ishte i dyti më i vonshëm i shënuar nga Lazio në 20 sezonet e fundit në Serie A. Rekordin e mban një finalizim i Caicedos në 2019-tën, 97 minuta e 28 sekonda. Si pasojë, pas një ecurie të tillë, me 3 humbje radhazi, Milani ka zbritur në vendin e 9 dhe mbetet në kuotën e 41 pikëve, 9 pikë larg zonës Champions, që tashmë është thuasje e pamundur të arrihet. Vendi i katërt mbahet pikërisht nga Lazio me 50 pikë, por që aty mund të ngjitet Juventusi, nëse fiton ndeshjen e javës së 27 ndaj Veronës.