Milani lëviz për Tanganga

Sport

Merkato e Milanit ende nuk e ka nisur fluturimin, nëse do ta nisë ndonjëherë, gjithsesi klubi ka filluar të lëvizë dhe edhe pse fokusi është tek mbyllja e marrëveshjes me Brugge për afrimin e Charles De Ketelaere, drejtuesit kanë kthyer vështrimin edhe nga Premier League për Japhet Tangangën.

Emri i tij ka disa kohë që është përmendur , por tashmë kanë nisur edhe lëvizjet e para konkrete për ta afruar lojtarin në formë huazimi nga Tottenhami.

Kuqezinjtë kanë nevojë për përforcime në qëndër të mbrojtjes, duke qënë që Romagnoli u largua, Kjaer duhet ende të rekuperojë si duhet formën sportive pas dëmtimit të gjatë dhe për këtë arsye është i dosmososhëm një tjetër qëndërmbrojtës, në këtë rast futbollisti i piketuar është pikërisht anglezi me origjinë nga Kongo.

Maldini e Massara e kanë ndjekur prej kohësh 23 vjecarin, madje tentuan në mënyrë modeste edhe në Janar. Rruga që kërkon të ndjekë klubi kampion i Italisë është e njëjta si me Tomorin, pra huazim me të drejtë blerjeje.

Tanganga i cili është një prodhim i akademisë së Totenhamit e nisi sezonin e fundit si pjesë e formacionit tek Spurs, më pas përfundoi disa ndeshje në stol derisa erdhi ai dëmtim në gju që e la jashtë për 4 muaj duke bërë që ta mbyllte sezonin që në Janar.

Tashmë ai është rikthyer në fushë , por nuk është mes zgjedhjeve kryesore të Contes dhe për këtë arsye tekniku italian mund të japë “ok” për huazimin e tij, teksa Milani është i gatshëm ti dhuroi më tepër hapësira 23 vjecarit britanik.