Milani kualifikohet në gjysmëfinale të Champions League

Sport

Pritja 16 vjeçare ka marrë fund. Milani është kualifikuar në gjysmëfinale të UEFA Champions League. Në çerekfinale, kuqezinjtë, eliminuan Napolin, me rezultatin e përgjithshëm 2-1. Pas fitores minimale në “San Siro”, sfida e kthimit në stadiumin “Diego Armando Maradona”, u mbyll me shifrat 1-1. Ndeshje që pati emocione të forta, të jashtëzakonshme.

Në minutën e 22, Olivier Giroud gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Mirëpo, francezi do ta korigjonte gabimin e tij në të 43-tën, duke e dërguar topin në rrjetë, pas një aksioni të çmendur personal të Rafael Leaos, i cili dribloi çfarë gjeti përpara dhe në fund u tregua shumë altruist, duke pasuar për Grioud, që këtë herë e pati shumë të thjeshtë.

Një tjetër moment kulminant i sfidës rezultoi edhe minuta e 82, kur Kvicha Kvaratskhelia nuk shënoi dot nga pika e penalltisë për Napolin, me portierin e Milanit, Mike Maignan që u kthye në heroin e skuadrës kuqezi. Pikërisht një moment i tillë, rezultoi deçiziv, sepse minutat e mbetura, mund të kishin rezultuar vendimtare për çështjen e kualifikimit. Një fije shprese për Napolin, e dha Victor Osimhen në minutën e 93, me sulmuesin që shënoi, por goli, do të kujtohet vetëm për statistikë.

Kjo ishte gjysmëfinalja e 7-të e Milanit në historinë e Champions League, dhe bashkë me Juventusin, janë dy skuadrat e vetme italiane që kanë marrë më shumë pjesë në këtë fazë të kompeticionit.

Në përfundim të sfidës, trajneri i të kualifkuarve, Stefano Pioli, nuk shpreh se skuadra e tij arriti një kualifikim të merituar.

“Luajtëm një ndeshje me zemër të madhe. Të gjitha na nënvlerësuan, por ne u stërvitëm fort. E kërkuam kualifikimin dhe e merituam atë. Urime për djemtë”, kanë qenë fjalët e Piolit.

Nga ana tjetër, trajneri i Napolit, Luçiano Spalletti, tha se në të tilla nivele, vendosi eksperienca. “Urime Milanit për kualifikimin. Ata dhanë maksimumin në të dyja sfidat dhe lojtarët ditën të bënin diferencën në momente të veçanta. Megjithatë, dua të përgëzoj edhe djemtë e mi, sepse luajtën një përballje të madhe. Sidoqoftë, në momente të veçanta u treguam naivë, për mungesë të eksperiencës”, ka cituar ndër të tjera Spalletti.