Milani konfirmon trajnerin Stefano Pioli

Sport

Milani konfirmon trajnerin Stefano Pioli. Për shkak të një sezoni me plot ulje-ngritje, çka ka sjellë eliminimin nga Champions League, apo edhe thuajse mbetjen jashtë garës për titull në Serie A, kjo ka bërë që përgjegjësia t’I faturohet pikërisht Stefano Piolit.

Duhet theksuar gjithashtu se përgjatë këtij sezoni, Milani, është skuadra e parë e kreut që ka vuajtur më tepër nga dëmtimet e lojtarëve, duke bërë në këtë mënyrë, që formacioni të mos jetë thuajse asnjëherë me lojtarët më të mirë. ‘

Megjithatë, kjo nuk mjafton. Në momentin kur rezultatet nuk vijnë, përgjegjësia bie mbi trajnerin, e në këtë rast për Piolin, për të ardhmen e të cilit në krye të Milanit, mediat Italiane, vazhdimisht kanë shkruar se do të përfundojë në fund të sezonit, me shoqërinë kuqezi që tashmë ka piketuar një tjetër trajner dhe këtu fjala është për Antonio Conten.

Gjithësesi, të gjitha këto raportime janë hedhur poshtë nga Drejtori Ekzekutiv I Milanit, Giorgio Furlani, I cili ka treguar mbështetje të plotë për Stefano Piolin.

“Lajmet për stolin e Milanit përgjatë kohëve të fundit, më kanë befasuar tej mase. Pioli është trajneri ynë dhe ka mbështetjen e klubit, diçka që është konfirmuar gjithashtu edhe nga Zlatan Ibrahimoviç. Jemi të kënaqur për punën që Pioli ka bërë për ne dhe padyshim që jemi me fat ta kemi atë pjesë të skuadrës sonë”, ka deklaruar ndër të tjera Furlani.

Kontrata aktuale e Piolit me Milanin përfundon në verën e 2025-tës, teksa në fund të sezonit, do të kuptohet më qartë, nëse fjalët e Furlanit kanë qenë të vërteta, apo thjesht për të mbajtur situatën nën kontroll.