Milani ka nisur të mendojë për derbin ndaj Interit në Champions League

Sport

Milani po mendon për derbin europian ndaj Interit në gjysmëfinalen e Champions League. Ndonëse sfida e shumëpritur është një javë larg, duket qartë që Stefano Pioli e ka mendjen aty. Një gjë të tillë pritet ta vërtetojë ndeshja e radhës në kampionat e Milanit. Në xhiron e 33, të mërkurën, kuqezinjtë presin Cremonesen në shtëpi, dhe mediat italiane raportojnë se Pioli do të hedhë në fushë shumë lojtarë, të cilët zakonisht, janë pjesë e formacionit të dytë.

Thënë ndryshe, Charles De Ketelaere pritet të jetë titullar, së bashku me Rebic dhe Origi. Gjithashtu, edhe Florenzi mund të luajë në vend të Calabrias, ndërsa zemra e mbrojtjes pritet të përbëhet nga Kalulu dhe Thiaë.

Sidoqoftë, Rafael Leao, Bennacer, Krunic, apo edhe Theo Hernandez, pritet të jenë pjesë të formacionit, në mënyrë që skuadra të ketë disa prej pikave të saj më të forta që nga minuta e parë.

Gjithësesi, pavarësisht ndryshimeve, për Milanin, fitorja ndaj Cremoneses është detyrim, sepse në të kundërt do të komplikonte garën për një vend në Champions League në edicionin e ardhshëm. Më tej, Pioli pritet të bëjë gjithashtu ndryshime në formacion edhe për ndeshjen e fundjavës në Serie A, që Milani do e luajë sërish në “San Siro”, por këtë herë ndaj Lazios.

Me fjalë të tjera, është mëse e qartë që tekniku kuqezi është duke menduar për javën e ardhshme, aty ku të mërkurën e datës 10, do të ketë aktin e parë gjysmëfinal në Champions League, përballë rivalëve historikë të qytetit, Interit.