Milani fiton Superkupën e Italisë

Sport

Milani fiton Superkupën e Italisë për sezonin 2024/25. Në finale, kuqezinjtë, mposhtën rivalët e tyre historikë, Interin, me rezultatin 3-2. Por, ajo që e bën më të bukur këtë sukses, është mënyra sesi erdhi fitorja. Në fundin e pjesës së parë dhe në fillim të pjesës së dytë, zikaltërit kaluan në avantazh të dyfishtë me anë të Lautaro Martinez dhe Mehdi Taremi, duke thënë mesazhin se edhe këtë herë, Superkupa do të vishej pikërisht me ngjyrat zikaltër, ashtu sikurse kishte ndodhur në 3 edicionet e fundit radhdazi.

Por, edhe një herë tjetër, futbolli dha një tjetër mësim të bukur, se pavarësisht se çfarë është duke ndodhur, dorëzimi nuk është një mundësi. Këtë gjë bëri edhe Milani që fillimisht ngushtoi dieferencën me Theo Hernandez. Pastaj, golin e barazimit e shënoi Christian Pulisiç, kurse të përmbysjes e realizoi Tammy Abraham në minutën e 93, duke mos i dhënë më mundësi kundërshtarit për të reaguar.

Kjo është Superkupa e 8-të e fituar në historinë e Milanit, duke barazuar kësisoj Interin, ndërsa në vendin e parë në këtë drejtim qëndron vetëm Juventusi, si skuadra me më shmë Superkupa të fituara në Itali, plot 9.

Padyshim që merita kryesore në këtë triumph të kuzeqinjve, shkon për trajnerin Sergio Conceicao, i cili në vetëm pak ditë në krye të skuadrës, po jep shenjat e një pune të frytshme. Tekniku portugez ka arritur të lërë menjëherë gjurmë në radhët e 7 herë kampionëve të Europës, duke vendosur kësisoj edhe një rekord. Me vetëm dy ndeshje në krye të ekipit, Conceicao është bërë trajneri me më pak ndeshje në historinë e Milanit që ka mundur të fitojë një trofe. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Montella me 18 ndeshje në vitin 2016, atëherë kur fitoi Superkupën.

Një sukses i tillë, mund t’i japë shtysë trajnerit Conceicao dhe Milanit të tij që të përmirësojë renditjen në kampionat, me objektivin kryesor që është kualifikimi në Champions League në sezonin e ardhshëm futbollistik.