Mes shumë kritikave, paragjykimeve, apo dyshimeve, Milani i Paulo Fonsecas po arrin të marrë rezultate në fushën e lojës. Ndonëse në miqësore, kuqezinjtë kanë mundur të fitojnë përballë ekipeve më në formë të momentit. Pasi triumfuan ndaj Manchester Cityt disa ditë më parë, kundërshtari i radhës që 7 herë kampionët e Europës mposhtën, ishte Real Madrid. Në SHBA, atje ku një sërë klubesh me peshë nga Europa po kryejnë fazën parasezonale, dy gjigantët e kontinentit u përplasën mes tyre dhe në fund, ishte Milani që fitoi me rezultatin minimal 1-0. Golin e vetëm të takimit e shënoi Samuel Cukueze në minutën e 55 të takimit, i asistuar nga një djalosh i akademisë, sikurse është Mattia Liberali, ndonëse për këtë të fundit, Fonseca ka lënë të kuptojë se nuk ka vend në skuadrën e parë. Timonieri i Milani është shprehur i kënaqur nga rezultatet e skuadrës së tij, teksa ndeshjet ndaj Manchester Cityt, apo edhe Real Madrid, do t’u japin lojtarëve më tepër besim për sezonin e në vazhdimësi. Në duelin e radhës, Milani do të luajë përballë një tjetër kundërshtari të madh, sikurse është Barcelona në 7 Gusht. Sakaq, paralalisht, klubi kuqezi po punon edhe në merkato. përforcimi më i fundit është mvrojtësi i qendrës, Strahinja Pavloviç, i cili ka nënshkruar një kontratë katër vjeçare, me mundësi rinovimi edhe për një të pestë. Shërbimet e serbit janë kompletuar për shifrën e 18 milionë eurove nga klubi i Salzburgut.