Milani fiton ndaj Napolit, Spalletti me deklaratë të fortë: Po humbëm sërish 4-0, largohem

Sport

Ashtu sikurse pritej, Milan-Napoli prodhoi spektakël dhe në fund, pati një fitues. Ishin kuqezinjtë, ata që në aktin e parë të çerekfinales së Champions League, triumfuan me rezultatin 1-0 në “San Siro”. Golin e vetëm të sfidës, e shënoi Ismael Bennacer në minutën e 40-të të pjesës së parë, pas asistimit të Rafael Leaos.

Në këtë mënyrë, Bennacer është bërë lojtari i 4 afrikan që shënon në UEFA Champions League për skuadrën e Milanit, pas George Ueah, Kevin-Prince Boateng dhe Sulley Muntari. Me këtë sukses ndaj skuadrës së Napolit, Milani, mbetet i pamposhtur në Champions ndaj klubeve italiane, duke regjistruar 3 fitore dhe 3 barazime. Në 5 prej këtyre sifdave, kuqezinjtë kanë arritur ta mbajnë portën të paprekur.

Kjo ishte fitorja e parë e ndaj Napolit në 3 vitet e fundit në shtëpi dhe trajneri Stefano Pioli ndihet i gëzuar nga një arritje e tillë. Megjithatë, për numrin një të stolit kuqezi, gjithçka mbetet e hapur.

“Napoli e nisi më mirë sesa ne. Ata ishin më agresivë, por ne dolëm në lojën tonë. Bennacer luajti një ndeshje të përkryer. Gjithësesi, nuk dua të përmend më shumë emra, sepse më pëlqeu mënyrë sesi luajti e gjithë skuadra. Kemi fituar një ndeshje të Champions League dhe rezultati na jep një mundësi për të kaluar më tej. Megjithatë, fitorja është minimale dhe kualifikimi mbetet e hapur. E dimë se do të vuajmë në ndeshjen e kthimit”, ka mbyllur tekniku kuqezi.

Në anën tjetër, për trajnerin e Napolit, rezultati është i rikuperueshëm dhe për këtë, 64 vjeçari është i bindur. “Mundësitë për ta përmbysur këtë humbje janë 100% të mundshme”, ka thënë fillimisht Spalletti, i cili më pas, ka bërë një deklaratë shumë të fortë. “Humbjen 4-0 në Maradona ndaj Milanit në kampionat, nuk do të mundem dot ta shpjegoj. Nëse ndodh sërish në ndeshjen e kthimit, atëherë do të largohem nga drejtimi i Napolit”, ka deklaruar toskani.

Akti i kthimit mes Napolit dhe Milanit, do të luhet javën e ardhshme, në datën 18 Prill. Për sfidën që do të zhvillohet në “Diego Armando Maradona”, Spalletti ka thënë se sulmuesi Victor Osimhen do të jetë 100% gati për të luajtur që nga minuta e parë.