Milani duhet të presë ende. Mike Maignan nuk është ende gati për t’u rikthyer në fushën e lojës. Numri një I portës së Milanit nuk ka luajtur asnjë ndeshje që prej Shtatorit, si pasojë e dëmtimit muskulor në pulpë.
Nga testet e fundit të kryera, përmirësimet janë pozitive, mirëpo stafi mjekësor kërkon një kohë më të gjatë rikuperimi, për të shmangur një tjetër dëmtim të ri. Në kushte si këto, Maignan nuk do jetë gati për sfidën e 1/8-tave në Champions League ndaj Tottenham në 14 Shkurt.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, portieri pritet të jetë gati vetëm në muajin Mars. Më konkretisht, në datën 8, në ndeshjen e dytë ndaj Spurs. Sakaq, gjatë kësaj kohe, trajneri Stefano Pioli, duhet të vazhdojë t’I bëjë llogaritë me Tatarushanun në portë.
Teksa Milani vijon të përshkojë një rrugë mes territ, si pasojë e krizës së rezultateve negative, në kampin kuqezi ka gjithashtu edhe zhvillime pozitive. Zlatan Ibrahimoviç ka lënë pas dëmtimin e gjatë në gju dhe është shumë pranë rikthimit në fushën e lojës.
Suedezi nuk ka mundur të luajë asnjë ndeshje këtë sezon, por veç të tjerash, rikthimi I tij konsiderohet I rëndësishëm, për shkak të mentalitetit që I jep ekipit, sidomos në një moment kaq të vështirë që po kalon klubi kampion në fuqi I Italisë.