Milani duket drejt rinovimit të kontratës me Theo Hernandez. Në verën që lamë pas, u diskutua jo pak se francezi do të largohej nga 7 herë kampionët e Europës, për të nisur një aventurë diku tjetër në continent, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi, e mesa duket nuk do të ndodhë as në të ardhmen. Siç njoftojnë mediat matanë detit, klubi kuqezi dhe futbollisti në fjalë, kanë nisur bisedimet për një marrëveshje të re, e cila, parashikohet të rinovohet deri në vitin 2029, me atë aktualen që përfundon në verën e 2026-tës. Përveç të tjerash, në ujdinë e re do të ketë edhe një përmirësim të termave financiarë. Për momentin, mbrojtësi i majtë paguhet 4.5 mln euro në sezon, kurse rritja do të jetë deri në 6 mln euro në sezon, duke u bërë kështu jo vetëm një nga lojtarët më të paguar të skuadrës, por të të gjithë kampionatit italian. Këtë sezon futbollistik, Theo është kritikuar jo pak, për formën e tij të dobët në ndeshje të caktuara, mirëpo klubi nuk ka asnjë dyshim se ai është një futbollist kyç për ekipin kuqezi dhe këtë e ka treguar përgjatë edicioneve të fundit. Theo, është pjesë e Milanit që prej verës së 2019-tës, e prej atëherë, ka bërë 225 paraqitje me 19 herë kampionët e Italisë, duke shënuar edhe 31 gola. Theo është gjithashtu edhe një nga kapitenët e skuadrës së Milanit.