Mbyllet në barazim 1-1 derbi i Madoninës mes Milanit dhe Interit, i vlefshëm për javën e 23 të Serie A. Të parët që kaluan në epërsi ishin kuqezinjtë në fundin e pjesës së parë me anë të Tijani Reijnders. Mesfushori është bërë hollandezi i pestë në histori, i cili ka shënuar të paktën 10 gola në Serie A për Milanin, pas Marco van Basten, Clarence Seedorf, Ruud Gulit dhe Frank Rijkaard. Tulipani tregoi edhe një herë tjetër se është një nga lojtarët më në formë të Milanit përgjatë këtij edicioni futbollistik.
Megjithatë, në pjesën e dytë, Interi nuk hoqi dorë, por provoi me të gjitha mënyrat për të gjetur golin e barazimit. Pas 3 finalizimeve të anulluara për pozicion jashtë loje, gjithashtu, në 3 raste të tjera, shtylla u mohoi golin kampionëve në fuqi të Italisë, të cilët pas disa përpjekjeve, më në fund, ia dolën me Stefan De Vrij në minutën e 93. Mirëpo, zikaltërit, në këtë derbi, patën gjithashtu edhe pakënaqësitë e tyre ndaj arbitrit kryesor të ndeshjes, Daniele Chiffi. Fjala është për një episod të ndodhur brenda zonës së Milanit, ku Marcus Thuram u rrëzua pas një kontakti me kundërshtarët. Chiffi lejoi vazhdimin e lojës, ndërsa nuk pati asnjë komunikim nga sistemi VAR.
Një rast i tillë ka mërzitur shumë edhe trajnerin Simone Inzaghi, i cili pas përfundimit të ndeshjes, ndër të tjera tha se tashmë janë bërë disa ndeshje të ndryshme përgjatë kampionatit që skuadra e Interit po penalizohet nga vendimet e gabuara të arbirtave.
Sa i përket klasifikimit, zikaltërit mbeten të dytët në tabelë, në kuotën e 51 pikëve, 3 më pak sesa Napoli kryesues, por që kanë gjithashtu nnjë ndeshje më pak në calendar.
Sa i përket Milanit, kuqezinjtë janë në vendin e 8 me 35 pikë, gjithashtu me një ndeshje të prapambetur. Ojektivi kryesor i skaudrës së Conceicaos, është të kualifikohet në Champions League për sezonin e ardhshëm, por nëse misioni do të kompletohet me sukses ose jo, kjo mbetet për t’u parë në vazhdimësi.