Klubi i Milan ka gjetur gjuhën e përbashkët me futbollistin Sven Botman, në mënyrë që ky i fundit të transferohet në San Siro në merkaton e verës. Mbrojtësi i qendrës ka pranuar një pagë prej 3.5 mln eurosh nga kuqezinjtë, prej kohësh po rendin pas hollandezit dhe kanë arritur në përfundimin se një përforcim i tillë shkon në perfeksion me mënyrën dhe stilin e lojës së trajnerit Stefano Pioli.
Sipas mediave italiane, Botman ka pranuar që të bashkohet me 18 herë kampionët e Serisë A, mirëpo tanimë duhet zgjidhur ngërçi me Lille. Për ta lënë të lirë lojtarin, kampionët në fuqi të Ligue 1, kërkojnë plot 40 mln euro. Nuk dihet nëse Milani do e pranojë këtë kusht të francezëve, por e sigurt është se konkurenca pritet të arrijë nivelet më të larta. Kjo pasi 22 vjeçari kërkohet edhe nga klube të tjera të kontinentit, sikurse janë Tottenham, apo Neëcastle.
Ndoshta, Botman e ka arritur akordin me Milanin, mirëpo dy klubet e tjera të sipërpërmendura, nuk e kanë shumë problem aspektin financiar, e si pasojë mund të plotësojnë lehtësisht kërkesën e 40 mln eurove që synon Lille. Në këto kushte, karriera e mbrojtësit mund të marrë tjetër drejtim. Megjithatë, çdo gjë do të vendoset në vijimësi, aty ku pritet një panoramë më e qartë mbi të ardhmen e Sven Botman.