Milan, vjen Kamada, “në radar” Savic e Openda

Sport

Milani ka nisur të lëvizë në merkato që në muajin Maj, në ndryshim nga sa ndodhi verën e shkuar, kur për shkak të mos ripërtëritjes së kontratave të Maldinit e Massarës merkato vonoi shumë dhe për rrjedhojë dështoi në mënyrë drastike. Sportiello është tashmë siguruar dhe në mbyllje është afrimi i Daichi Kamadës nga Eintrachti i Fankfurtit. 26 vjecari zhvilloi një sezon pozitiv duke shënuar gjithsej 16 gola. Japonezi është në fund të kontratës dhe sipas mediave është arritur dakordësia me Milanin për një pagë prej 3 milion eurosh në sezon.

Megjithatë kuqezinjtë nuk do të ndalen me kaq. Në majën e listës së dëshirave është Sergej Milinkovic-Savic i Lazios. Ai që cilësohet si një nga mesfushorët më të mirë në Serinë A ka edhe një vit kontratë me bardhekaltrit dhe për këtë arsye pretendimet e Lotitos në këtë rast nuk mund të jenë shumë të tepruara. Davide Frattessi është një tjetër futbollist për të cilin drejtuesit e Milanit po punojnë për ta afruar. Ky sezon ka qënë shumë pozitiv për lojtarin e Sassuolos dhe klubi emilian në ndryshim nga Lazio mund të pranojë edhe shpërndarjen me këste, dicka që Milanit i shkon përshtat.  Për sulmin , emri më i përmendur është ai i Ikoma Opendës. Lensi kërkon jo më pak se 35 milion euro për sulmuesin i cili këtë sezon realizoi 20 gola në ligën e parë franceze. 23 vjecari pëlqehet shumë edhe nga Stefano Pioli, por duhet parë se si do të vijojnë bisedimet me klubin “verdhekuq”. Milani për momentin ka 50 milion euro për merkaton, por që me largimet e mundshme të Origit, Rebicit, Adlisë e Ballo-Toures, kjo shifër mund të shkojë deri në 80 milion euro.