Milan Skriniar i thotë “jo” Interit

Sport

Milan Skriniar i thotë “jo” Interit. Mbrojtësi i qendrës ka vendosur të mos e rinovojë kontratën dhe të largohet me parametra në fund të sezonit. Të paktën këto janë raportimet e përditësuara nga mediat përtej Adriatikut. Pas triumfit në Superkupën e Italisë ndaj Milanit, pati një optimizëm, se Skriniar do rinovonte, mirëpo diçka e tillë duket shumë e vështirë që të bëhet realitet.

Sllovaku ka vendosur t’i japë fund aventurës me fanellën zikaltër dhe është i gatshëm të dëgjojë oferta të tjera në drejtim të tij.

Në fakt, Interi nuk është dorëzuar asnjëherë për mbrojtësin e qendrës, por herë pas here ka tentuar për ta bindur që shtatlarti i prapavijës të rinovojë kontratën. Madje, në propozimin e tyre të fundit, gjigantët e Milanos, i ofruan futbollistit një pagë deri në 6.5 mln euro në sezon, por sërish kjo nuk rezultoi e mjaftueshme që Skriniar të thoshte “po”.

Klubi më i interesuar për të siguruar shërbimet e mbrojtësit mbetet PSG. Francezët i kanë ofruar lojtarit 9 mln euro në sezon, diçka që Interi nuk ia ofron dot. Në verën që lamë pas, parizienët trokitën me një ofertë 70 mln euroshe në dyert e Interit për Skriniar, por operacioni nuk u mbyll me sukses, ndërsa në verën që vjen kanë mundësi t’i sigurojnë shërbimet e shtatlartit me kosto zero.

Në kushte si këto, drejtuesit e klubit zikaltër e kanë kuptuar se kanë bërë maksimumin për ta mbajtur mbrojtësin pjesë të skuadrës së tyre, por në fund ndihen të dorëzuar dhe tanimë do e kthejnë vëmendjen në merkato për të afruar një tjetër mbrojtës qendre në dispozicion të trajnerit Simone Inzaghi.