Milan Skriniar drejt largimit, një tjetër lojtar pranë rinovimit me Interin

Sport

Ndërsa Milan Skriniar duket gjithmonë e më larg Interit, një tjetër lojtar i zikaltërve ka vendosur të rinovjoë kontratën. Fjala është për Matteo Darmian. Sikurse raportojnë mediat përtej detit, rinovimi i mbrojtësit të djathtë duket çështje e kryer.

Italianit i përfundon kontrata në fund të sezonit, por nuk ka vend për shumë diskutime, sepse do rinovojë me 19 herë kampionët e Italisë edhe për një tjetër vit, pra, deri në verën e 2024-tës. Në edicionet e fundit, anësori i prapavijës është përfshirë më tepër në ndeshjet e skuadrës dhe herë pas here ka rezultuar i rëndësishëm për ekipin zikaltër.

Pjesë e Interit që prej 2020-tës, Darmian ka luajtur 89 ndeshje në të gjitha kompeticionet me klubin nga Milano, teksa regjistron 7 gola dhe 9 asist.

Ndërsa për Darmian situata e rinovimit duket çështje e kryer, në kampin zikaltër, mbetet e paqartë situata mbi Milan Skriniar. Sllovaku duket gjithmonë e më larg Interit. Qendërmbrojtësi nuk po rinovon dhe do largohet nga “Giuseppe Meaza” me parametra zero. Drejtuesit e klubit, mund të ndihen tejet të shqetësuar në lidhje me këtë çështje, sepse në verën që lamë pas, PSG ofroi 70 mln euro mbi futbollistin në fjalë, por marrëveshja nuk u kompletua me sukses.

Mesa duket, francezët nuk kanë hequr dorë nga objektivi i tyre dhe kësisoj, në verën që vjen, janë në pole-position për t’i siguruar shërbimet e mbrojtësit shtatlartë pas asnjë shpenzim.