Është prezantuar zyrtarisht si drejtori i ri i Milanit, braziliani Leonardo. 48-vjeçari bën në këtë mënyrë një rikthim të tij tek klubi kuqezi, ku ka shërbyer më parë si futbollist dhe trajner. Leonardo ka qenë ndër zgjedhjet e para që grupi amerikan “Elliot” ka bërë që në momentin kur morën në zotërim pronësinë e Milanit. Në konferencën për shtyp, braziliani flet për spekulimet e fundit të merkatos. Tema kryesore mbetet ajo e trajnerit, ku Leonardo konfirmon me besim të plotë Gattuson dhe largon të gjithë zërat që lidhnin Antonio Conten me pankinën kuqezi. Ai zbulon se nuk ka patur asnjë bisedim me ish-trajnerin e Juventus dhe Chelsea, dhe shoqëria është e përqendruar për të bërë sa më mirë më trajnerin aktual.
Leonardo flet pa doreza edhe për çështjen Bonucci, ku konfirmon se ka qenë vetë mbrojtësi që ka kërkuar largimin drejt skuadrës së Juventus. Tek Milan ndërkohë mbeten ende disa dilema për t’u zgjidhur, sa i përket emërimeve të stafit drejtues, ku së fundmi në rolin e drejtorit sportiv është përfolur emri i Ivan Gazidis, i cili e ka kryer këtë rol në dekadën e fundit tek Arsenal, por edhe Paolo Maldini, që flitet se do të marrë një rol të rëndësishëm në skuadër. Në lidhje me këtë të fundit, Leonardo thotë se ardhja e një emri si Maldini tek Milan, do të ishte lëvizja më e rëndësishme e klubit. Sa i përket merkatos, veç Bonuccit, pranë largimit mendohet të jetë edhe Nikola Kaliniç. Për të është e interesuar më shumë Atletico Madrid, por që ka edhe skuadra të tjera të gatshme për të hyrë në tratativa për sulmuesin kroat.