Milan, Milenkovic mbetet dëshira e madhe për mbrojtjen, alternativa e tij është Ajer i Celtic

Sport

Nikola Milenkovic është objektivi kryesor i merkatos së Milanit sa i përket fazës mbrojtëse. Kuqezinjtë kanë qenë ndër skuadrat më aktive në këtë merkato, por ende nuk kanë gjetur marrëveshjet e duhura për t’u përforcuar edhe në prapavijë. Qendërmbrojtësi i Fiorentinës përflitet prej kohësh se është nën shënjestrën e Milanit, por tratativat për të janë të komplikuara, për shkak se ekipi nga Firenze kërkon të paktën 45 milionë euro për shërbimet e tij. Vetë Milenkovic është gati të firmosë për kalimin e tij tek Milani, por ajo që ndërlikon situatën është Fiorentina, që nuk ka ndërmend të ulë pretendimet për serbin. Për më tepër, marrëdhëniet mes klubit nga Firenze dhe Milanit nuk janë më aq të mira, për shkak të blerjes përfundimtare të Rebic nga kuqezinjtë. Sulmuesi kroat erdhi në fakt nga Frankfurti, por në kontratën me gjermanët, Fiorentina, ish-skuadra e Rebic, kishte një klauzolë ku ‘violët’ do të merrnin rreth 50% të vlerës së rishitjes së lojtarit. Milani dhe Frankfurit arritën një marrëveshje me kosto thuajse zero dhe Fiorentina nuk përfitoi asgjë. Për këtë arsye, edhe për Milenkovic, por edhe për Federico Chiesan, të dy këta objektiva të merkatos së Milanit, ‘violët’ nuk do t’i lëshojnë kollaj. Në rast se afrimi i Milenkovic do të vijojë të jetë i bllokuar, atëherë kuqezinjtë do të zhvendosen tek alternativat e tjera. Mediat italiane dhe ato angleze raportojnë se një profil që pëlqehet shumë nga ana e drejtuesve të klubit milanez, është edhe Kristoffer Ajer i Celtic. Për të tranferuar 22-vjeçarin, Milanit do t’i duheshin më pak para për të shpenzuar, ndonëse kampionët e Skocisë, do të përpiqen të përfitojnë sa më shumë nga largimi i mundshëm i qendërmbrojtësit norvegjez.