Milan mes largimeve dhe afrimeve të reja

Sport

Milanit
Skuadra e Milanit mbetet edhe këtë verë një ndër më aktivet në merkato. Leonardo dhe Maldini tashmë kanë filluar të punojnë edhe me largimet, për lojtarët që nuk janë më pjesë e planeve të Gattusos. Agjentët e Antonellit dhe Jose Maurit ishin të parët që mësuan se klientët e tyre duhet të gjejnë një skuadër të re. Ndërsa së fundmi në “Casa Milan” është paraqitur edhe Suso. Trajneri i kuqezinjve, Gennaro Gattuso pati thënë se spanjolli është mjaft i rëndësishëm për formacionin e tij, por takimet e shpeshta të agjentit të tij, Alessandro Lucci me drejtorin e Romës, Monchin, duket se paralajmërojnë një kalim të mundshëm të 24-vjeçarit drejt kryeqytetit italian. Megjithatë, në Itali ka raportime që flasin se spanjolli është takuar në “Casa Milan” për të diskutuar rinovimin e kontratës të paralajmëruar prej kohësh.
Andre Silva nuk ia doli dot të linte shenjë e të përmbushte pritshmëritë ndaj tij në sezonin e parë të kuqezinjve. Orët e fundit është shtuar një interesim për të nga ana e Sevillas, që ofroi 20 milionë euro për kartonin e tij. Kjo ofertë u refuzua nga Milani, që mund të arrijë akordin me andaluzianët për huazimin e thjeshtë ose me të drejtë blerje për 38 milionë euro.
Sa i përket merkatos në hyrje, emri më i fundit i përmendur është Julian Draxler. Gjermani i pëlqen Leonardos, dhe duke parë që i mungojnë hapësirat tek PSG, edhe Draxler do ta aprovonte kalimin e tij në “Milanello”. Por parizienët kërkojnë që në këtë marrëveshje të përfshihet edhe Ricardo Rodriguez. Mbrojtësi i majtë i Milanit ka qenë thuajse i pazëvendësueshëm gjatë sezonit të kaluar, ndaj për momentin marrëveshja mbetet në fazën e negociatave.